Kuçovë/ Fermerët në protestë: Po na shpronësojnë me çmime qesharake

Banorët e fshatit Morave në Kuçovë protestuan për të disatën herë kundër vlerës së shpronësimeve të tokës, në të cilën do të ndërtohet baza ushtarake e NATO-s.

Banorët shprehen se janë kundër çmimit që u është ofruar atyre për shpronësimin e tokës.

"Tani ku do ushqehemi, a i kanë bërë mirë llogaritë ata të NATOS-s, që na japin 2 milionë lekë. Unë 2 milionë lejë i marr për 3 muaj."

"Na kanë bërë  një vlerësim, 2 milionë e 30 mijë lekë të vjetra për dynun. Ne nuk jemi dakord."

"Nuk jam i kënaqur, as me vlerën e shtëpisë, as të tokës, as të truallit, nuk jemi dakord."

Thonë se me atë tokë jetojnë dhe mbajnë familjen, ndaj kërkojnë shpronësim me çmim tregu.

Fermerët shtojnë se kanë bërë miliona lekë investime në sera, të cilat do të shkojnë dëm.

"Kam investuar 40,50 milionë lekë aty, vetëm serrë rikonstruksioni, po toka? Kështu që i bëjmë thirrje të vijë të na thojë çfarë do bëjë me ne."

Ata i janë drejtuar ministrisë së Mbrojtjes dhe NATOS me 3 kërkesa.

"Të vijë ministri i Mbrojtjes, të mbajë fjalën që pronat do vlerësohen me çmim tregu. Duam një përfaqësues të NATO-s."

Në Bazën Ushtarake të Kuçovës pritet që të investohen rreth 50 milionë euro nga Aleanca ushtarake e NATO-s.