Debati në Kuvend/ Spiropali: Vetingu nuk është si bravat e dyerve që i ndërroni. Basha: Jeni më vdekjeprurës se virusi
Në seancën e sotme parlamentare pati debate mes Lulzim Bashës dhe ministres Elisa Spiropali.
Basha: Ju jeni më vdekjeprurës se Covid.
Spiropali me tone të larta ju drejtua Bashës duke i thënë që të kontrollonte gjuhën dhe temperamentin.
Spiropali: Kontrolloni nervin se nuk jemi në "Foltore" këtu. Mbi të gjitha kontrolloini gjuhën që e keni lëshuar fare qëkur ju kanë lëshuar nervat. Hijet politike, apo kufomat "non grata" apo grata mund të vazhdojnë vallen e marrëzisë, por nuk mund të marrosin një popull të tërë dhe ne këtu që duhet të vazhdojmë punën tonë. Meqë e keni merak çështjen e vetingut, premtoni këtu që do votoni shtyrjen e afateve për vetingun. E keni kërkesë jo vetëm tonën, por dhe të partnerëve. Nuk është vetingu si bravat e dyerve të partive që mund t'i ndërroni sa herë humbni legjitimitetin dhe s'dini ç'bëni.
Basha tha se tonin e tij nuk e përcakton dot "as i pari i bandës as të tjerët."
Basha: Doni vetingun, fillojeni nga vetja. Shqiptarët nuk janë budallenj. Të vjedhësh në dogana 5 milionë euro dhe të vish të krekosesh këtu me veshje firmato. Ai proces do përfundojë pavarësisht se po mundoheni ta pengoni. Toni im ka të bëjë me hipokrizinë tuaj. 60 mijë të vdekur më shumë se sa 2 vite të tjera, shkaktarët jeni ju që i mbyllët shqiptarët 2 muaj në karantinë totale. Edhe kur hapje frigoriferin shikoje fytyrën e padronit tënd. Nuk morët asnjë masë reale. Jeni njësoj si Covidi, madje më vdekjeprurës. Covidin e vuan gjithë bota, por një qeveri kaq shpirtzezë, kaq shpirtkazmë që vijojnë vjedhin dhe në kohën e pandemisë e tërmetit nuk e ka parë askush.
Basha tha se në raportin e 2021 të DASH qeveria shqiptare është më e korruptuara e Ballkanit.
