Presidenti bullgar ‘pro’ integrimit të Maqedonisë së Veriut, por duhet respektuar interesi kombëtar
Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka deklaruar të hënën se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë në mes të janarit lidhur me Maqedoninë e Veriut.
Radev theksoi se Bullgaria e mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por duke respektuar interesin kombëtar.
"Ne duhet të përshpejtojmë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por duke respektuar interesin kombëtar. Të drejtat e bullgarëve maqedonas, përfshirja e tyre në jetën publike, politike, kulturore të vendit është një çështje me rëndësi të madhe për Bullgarinë."
Radev bëri thirrje edhe për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes me karakter nacionalist.
Në 17 nëntor të vitit 2020, Bullgaria vendosi veton e saj në Bashkimin Evropian për të mos miratuar kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, pasi të dy vendet nuk i kapërcyen mosmarrëveshjet lidhur me gjuhën dhe identitetin.
Bullgaria nuk e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, por kërkon që zyrtarët e Maqedonisë së Veriut të pranojnë se gjuha dhe identiteti i ri u krijua pas vitit 1945, ndërsa përpara kësaj periudhe ato kanë pasur prejardhje bullgare.

