Vjosa Osmani sulmon Trump, Hoti: Vetëm politikanët anti-perëndimorë mund të mendojnë kështu

Afro një vit pasi Donald Trump la presidencën e SHBA-ve, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kritikuar në parlament një nga pikat e marrëveshjes historike të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë.

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin e fundvitit të premten në Parlamentin e Kosovës.

Në adresimin e saj, Osmani zgjodhi të kritikojë marrëveshjen e historike të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë, ku nën prezencën e presidentit Donald Trump firmosën ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Vuçiç.

Sipas Osmanit një nga pikat marrëveshjes, pikërisht moratoriumi një vjeçar i njohjeve dhe i ç'njohjeve e ka penalizuar Kosovën gjatë këtij viti.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur Vjosa Osmanin të papërgjegjshme dhe antiperëndimore.

Avdullah Hoti: Shtëpia e Bardhë mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë. Vetëm politikanë me orientime joperëndimore, mund të thonë gjëra të tilla. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajttë nga politikanët e papërgjegjshëm.

Në pikën e 15 të marrëveshjes historike në Shtëpinë e Bardhë mes dy vendeve thuhej se Kosova duhet të hiqte dorë nga fushatat e anëtarësimit në Organizatat Ndërkombëtare dhe Serbia duhet të ndalojë fushatën e ç'njohjeve ndaj Kosovës.