Vetoja, Pendarovski: Qëndrimi i Bullgarisë komunist
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka sulmuar në distancë qëndrimin e Bullgarisë për çështjen maqedonase. Megjithatë Pendarovski mbështet deklaratën e kryeministrit të sapozgjedhur Kiril Petkov, se Shkupi dhe Sofja nuk duhet të flasin vetëm për historinë, por presidenti Radev ka thënë se zgjidhja vjen vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar në një intervistë televizive se mbështet deklaratën e kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov se Shkupi dhe Sofja duhet të flasin për infrastrukturë, energjetikë e fusha të tjera, jo vetëm për çështjen historike.
Kryeministri Petkov ka deklaruar se çështja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të mbyllet brenda 6 muajve.
Sipas Pendarovskit, kontradiktat mund të zgjidhen brenda disa javësh dhe grupet e punës mund të fillojnë punën pasi Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat.
Kreu i Shtetit maqedonas deklaroi se çështja maqedonase nga Bullgaria nuk ka ndryshuar që nga koha e komunizmit.
Pendarovski: Deklarata për veton ndaj Maqedonisë u votua unanimisht nga 250 deputetë të Parlamentit bullgar, edhe nga qeveria e atëhershme dhe nga opozita. Kemi 17 vjet që presim si vend kandidat, nëse ka deklarata të tilla për mënyrën se si Sofja e sheh çështjen maqedonase, nuk ka ndryshuar që nga koha e komunizmit, por kështu nuk mund të ecim përpara.
Nga ana tjetër, presidenti bullgar Rumen Radev ka deklaruar të hënën gjatë qëndrimit në Bruksel, se Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë kushtetutën, nëse do që të zgjidhë konfliktin me Sofjen.
