Nuk janë pastruar rrugët, bora bllokon 3 familje në Prishtinë

Tri familje kanë mbetur të bllokuara në fshatin Zllashë të Prishtinës, pasi dëbora që ka rënë në zonë nuk është pastruar, duke bërë kështu të pamundur qarkullimin e mjeteve.

Një person me inicialet S.K që banon në qytet, që udhëton shpesh për në këtë fshat pasi ka një fermë pulash  është ankuar për problemin.

Ai tregoi se dje i është dashur të kthehet në këmbë nga fshati, sepse udhëtimi me makinë ishte i pamundur.

“Janë rreth 10 shtëpi në fshat, në njërën nga to është një familje që jeton atje, kurse dy familje të tjera kanë shkuar vetëm për fundjavë dhe janë bllokuar. Unë kam kontaktuar me komunën dhe ata e kanë dërguar një kompani, nuk e di emrin e saj, e cila filloi punimet por ndaluan duke thënë se po e kanë të pamundur ta heqin borën për shkak të terrenit”, u shpreh ky qytetar, citon Klan Kosova.

Ai tregoi se mjetet e kompanisë kanë mbetur rrugës dhe se do të kontaktojë edhe me policinë për të gjetur një zgjidhje.