Mbi 2000 policë do blindojnë kryeministrinë, shtyllat lyhen me graso. Policia bëhet gati për protestën e thirrur nga Berisha

Policia e shtetit ka blinduar me masa sigurie kryeministrinë dhe institucionet e tjera pranë saj pas thirrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha për protestë.

Më shumë se 2 mijë efektiva janë angazhuar në planin e sigurisë, ndërsa godina e kryeministrisë ishte e para ajo që u rrethua me hekur në dyert e institucionit dhe disa prej dritareve.

Shtyllat e ndriçimit në bulevard janë lyer me përberje të rrëshkitshme në mënyrë që protestuesit të mos kenë mundësi të prishin kamerat e sigurisë si dhe artopolantët.

Protokolli i masave parashikon edhe formimin e gardhit metalik që  do të instalohet rreth orës 15:00 në një perimetër të gjerë nga ndërtesat e institucioneve.

Punonjësit e policisë do të qëndrojnë në distancë nga Selia e Partisë Demokratike aty ku do të fillojë edhe marshimi drejt godinës së qeverisë.

Punonjesve të policisë iu është dhënë urdhër që të ngrihen pika kontrolli në hyrje të Tiranës e cila në fokus do të jenë personat me precedentë penalë.

Protesta pritet në nisë në orën 16:00. Ende nuk ka një skenar se si do të vijojë ndërkohë që policia ka marrë masa edhe për përdorimin e autoboteve, gazit edhe mjeteve të tjera për shpërndarjen e turmave.

Ndërkohë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamujt e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë e Shqipërisë

Bulevardi është bërë gati për pritjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të samitit “Open Ballkan”.

Sot Vuçiç, Zaev e delegacioni do të priten në një darkë zyrtare në Elbasan, ndërkohë që nesër në orën 09:00 do të jetë mbërritja e Vuçiç dhe Zaev me delegacionet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.