“Borxh për korrupsionin”, Qeveria s’ka lekë as për pagesat e mjekëve dhe infermierëve,“mbyt” shqiptarët

Pasi mori 650 milionë euro përmes Eurobondit, si dhe pasi miratoi fondin prej 200 milion eurosh, qeveria Rama nuk heq dorë nga borxhet, të cilat kalojën në formën e ligjeve. Huaja e fundit prej 60 milionë eurosh për të paguar orët shtesë të stafeve spitalore që u angazhuan gjatë pandemisë ka shkaktuar debate trë forta në Komisionin e Shëndetësisë. Për opozitën kjo faturë është e papranueshme dhe shenjë e pastër e korrupsionit që po fshihet përmes saj.

60 milionë euro është fatura e re që qeveria shqiptare do i ngarkojë në kurriz shqiptarëve.

Përveç se nuk ngre dot pagat për mjekët dhe infermierët siç dhe ka premtuar gjatë pandemisë, qeveria Rama detyrohet të marrë borxhe për të paguar orët suplementare të stafeve mjekësore që u përballën me koronavirusin.

Për opozitën në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë ky është abuzimi i radhës nga papërgjegjshmëria e Edi Ramës.

"Paratë e buxhetit të shëndetësisë shkojnë në destinacione të tilla si koncesione e PPP me shifra të fryrta, atyre u paguhet nga shteti në kundërshtim me ligjin edhe TVSH-ja."

Ndërsa përfaqësuesja e e qeverisë në Komision, Eugena Tomini, u justifikua duke thënë se ky fond do të përdoret për përballimin e situatës.

Por ky argument u refuzua nga ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ngriti dyshime për abuzimet me fondet e pandemisë.

"Çfarë është kjo borxh mbi borxh? Pandemia shkak real, është ponderuar mirë financiarisht sa na duhen apo është shkak për të mbuluar punë të tjera? Duam përgjigje. Është kollaj të marrësh borxh por kujt i akumulohen?"

Por Partia Demokratike shkoi më tej në akuza.

"Thatë se shpenzimet për pandeminë i keni llogaritur rreth 100 mln euro, ndërkohë që kërkoni hua 60 mln euro. Diferencën kush do ta mbështesë? Ju keni aty tendera korruptivë, të maskave, të pajisjeve, sekretë, mbi këto shifra e ka llogaritur huanë dhe banka?"

Si kundërpërgjigje, zv.ministrja e Financave përdori argumentin se korrupsionin e gjykon drejtësia jo deputetët.

"Nuk e gjykoni ju dot korrupsionin".