Regjistrat online, Celibashi: 47% e shkollave kanë mungesë interneti. Qiraxhi: Kërkon kosto të madhe
Sezonin e parë, nxënësit dhe mësuesit në shkollat e vendit e kanë mbyllur pa regjistra, ndërkohë që çdo e dhënë për vlerësimin e nxënësve është ruajtur në mënyrë alternative nga arsimtarët.
Heqja e regjistrave nga shkollat është bërë pasi notat do të hidhen në një sistem të ri elektronik. Grupe të vogla mësuesish kanë nisur trajnimin që i gjithë informacioni i nxënësve, si notat apo vlerësime të tjera, të kalojnë elektronikisht në platformën E-Albania.
Gazetarja e RTV Ora, Anxhela Celibashi në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Ditë e Re" foli për këtë nismë dhe u shpreh se për momentin ky është një projekt pilot i cili nuk është implementuar ende në shkolla.
Celibashi: Nisma duket si një eksperiment i ministrisë së Arsimit. Në fillim të vitit të ri shkollor u aplikua regjistrimi online në e-Albania dhe kjo platformë online solli vështirësi të shumta si për prindërit ashtu edhe për mësuesit. Duke u nisur nga këto problematika për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, mund të themi që ndoshta mund të ketë problematika në implementimin e regjistrit online. Sipas informacioneve ky është një projekt pilot, por ende nuk ka nisur trajnimi në masë i mësuesve.
Do të duhet që të ketë një trajnim të grupeve të vogla në të gjitha shkollat e kryeqytetit. Në të gjitha shkollat e Shqipërisë ende nuk kanë shkuar regjistrat zyrtarë, vlerësimet e nxënësve po mbahen nëpër regjistrat personalë të mësuesve. Nuk dihet ende nëse këto vonesa për regjistrin zyrtar vijnë sepse pritet që të bëhet implementimi i regjistrave online, apo për arsye të tjera. Rreth 47% e shkollave të vendit kanë mungesë interneti dhe teknologjie dhe kjo e bën më të vështirë implementimin e këtyre regjistrave.
Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare në studion e "Ditë e Re" me moderator Arjon Muça dhe Arjola Shehu u shpreh se kjo është një nismë e cila në fakt ka nisur në vitin 2016 dhe është risjellë sërish në vëmendje tani nga qeveria. Sipas tij, kjo nismë shihet me skepticizëm, pasi mund të sjellë problematika të shumta dhe për më tepër ka një kosto të madhe.
Qiraxhi: Ishte një proces që dështoi kur ne kishim më shumë nevojë në kohën e pandemisë. Kjo situatë risillet sërish tani. Nëse kemi regjistra vetëm online do duhet që çdo mësues duhet të hyjë në shkollë me një tablet dhe jo të gjithë e kanë. Pra ky është një eksperiment që ka kosto të madhe. Ne jemi në një situatë ku zyrtarë duan të bëjnë lëvizje të shpejta. Ka vend për të qenë skeptikë sepse ky është një proces i nisur në 2016, janë investuar 3.5 milionë euro dhe nuk u panë gjëkundi. Çdolloj vendimmarrje sa i përket arsimit nuk duhet të kalojë pa konsultim.
Zoran Zaev i dorëzon zyrtarisht partinë Kovaçevskit
16 Dhjetor, 08:00
Avantazhi i regjistrave online
Qiraxhi: Nëse kjo do të realizohet, prindi do të ketë mundësi të kontrollojë në kohë reale notat dhe çfarë ndodh me fëmijën.
Ky ndryshim i sistemit vjen menjëherë pas kalimit të regjistrimit të nxënësve përmes e-Elbania, proces i cili hasi probleme të vazhdueshme e për pasojë edhe shtyrje të regjistrimit.


