Tendera pa garë edhe për festat, Bashkitë e Shkodrës, Lezhës dhe Korçës shpallin fituese ofertat me nga një pjesëmarrës
Bashkitë e vendit nuk heqin dorë nga miratimi i tenderave pa garë edhe për dekorimin e qendrave për festat e fundvitit. Konkretisht në Shkodër, Lezhë dhe Korçë, bashkitë respektive kanë miratuar procedura me vetëm një pjesëmarrës. Krejt ndryshe ka ndodhur në Fier dhe Mallakastër, ku bashkitë përkatëse janë detyruar të anulojnë tenderat për shkak të mos pjesëmarrjes në garë nga kompanitë e interesuara.
Dështojnë tenderat e Bashkive për blerjen e materialeve për dekorimin e ambienteve publike dhe organizimin e aktiviteteve të fundvitit.
Pak javë pas shpalljes së procedurave të prokurimit për zbukurimin e qendrave të qyteteve, disa nga Bashkitë kanë vendosur të anulojnë tenderat dhe të tjera kanë zhvilluar procedura pa garë.
Konkretisht, bashkitë e Lezhës, Korçës dhe Shkodrës kanë zhvilluar procedura me vetëm një pjesëmarrës, në mungesë të plotë konkurrencë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, në tenderin e Bashkisë Korçë me objekt "Dekore për festat" dhe me fond limit 2.9 milionë lekë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, shoqëria "Iceberg Communication" sh.p.k me administratore shtetasen Rafaela Rica.
Kjo kompani ka ofruar 43 mijë lekë më pak se fondi limit për dekorimin e qytetit.
Nga dokumentet rezulton gjithashtu se shoqëria "Iceberg Communication" është përzgjedhur dhe nga bashkia e Shkodrës për blerjen e aksesorëve për dekorim.
Edhe kjo procedurë është zhvilluar pa garë pasi ka vetëm një pjesëmarrës, i cili ka ofruar 1.2 milionë lekë për materialet e zbukurimit.
Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet dhe në Bashkinë e Lezhës. Kompania e vetme pjesëmarrëse në garë është "Stella" sh.p.k me administrator shtetasin Lirim Torba. Në total për dekorimin e qendrave të qyteteve nga këto Bashki do të shpenzohet një fond prej 5.8 milionë lekësh.
Referuar dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, Bashkia Fier, e cila kishte planifikuar dhe shpenzimet më të larta, rreth 3.2 milionë lekë, ka vendosur të anulojë tenderin me arsyetimin se nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve kohore. Afati i fundit për paraqitjen e ofertave ka qenë data 6 dhjetor.
Një tjetër Bashki që ka anuluar procedurën e prokurimit për blerjen e dekoreve është ajo e Mallakastrës. APP thekson se tenderi është anuluar pasi nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.
