Laçi thyen Tiranën në minutat e fundit, “buzëqeshin” Vllaznia dhe Kukësi

Java e 13-të e Superiores mbyllet me një fitore shumë të rëndësishme të Laçit që arrin të thyejë kryesuesit e kampionatit, Tiranën në shtëpinë e tyre.

Në një ndeshje me shumë emocione dhe tension, skuadra e Mirel Josës merr 3 pikë që e rikthejnë në lojë për titull e madje i bëjnë nder edhe ndjekësve, Kukësi, Vllaznia e Partizani.

Pjesa e pare është shumë e ekuilibruar dhe të dyja ekipet janë të kujdesshme edhe pse Guindo shfaqet i rrezikshëm disa herë në fushë. Nga shkallët e stadiumit ka edhe tension me disa tifozë por që situata mbahet nën kontroll nga policia.

Pjesa e dytë është sërish shumë e ekuilibruar dhe karakterizohet nga lojë e forte fizike dhe në 55’ Ziko provon të thyejë akullin me një goditje nga jashtë zone por Bekaj largon topin.

Në 76’ është pranë golit Laçi sërish ndërsa në 86’ vjen dhe rasti deçiziv që vendos fatin e takimit. Deliu futet në zone dhe driblon Bekajn i cili e pengon por arbitri vijon lojën por vetëm më pas VAR e korrigjon duke akorduar penallti.

Regi Lushkja nuk gabon nga pika e bardhë duke shënuar e duke i dhënë 3 pikë me shumë rëndësi Laçit që tashmë mund të llogaritet edhe për garën për titull e gjithashtu fitorja vjen edhe si një hakmarrje e Josës si ish trajner i bardhebluve. Pasi mundi Kukësin tani mund një tjetër ish skuadër, Tiranën kryesuese./Ora News/.