"Vendimi i marrë nga Këshilli është ilegjitim", Koka: Basha është i lidhur fort me karrigen dhe poltronin e tij

Ditën  djeshme, më 11 dhjetor në "Air Albania" u mbajt Kuvendi Kombëtar i demokratëve. Një nga vendimet më të rëndësishme që mori ishte shkarkimi i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Nga ana tjetër, Basha e cilësoi si vendim "ul" dhe sot mblodhi Këshillin Kombëtar të PD-së, i cili vendosi shkarkimin e kryetarit të këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka, 5 anëtarëve të kryesisë dhe 4 sekretarëve.

Gazetari Bledian Koka në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se Këshilli Kombëtar i thirrur sot nga Basha , me vendimin e Kuvendit të djeshëm, 11 dhjetor  është një organ i pezulluar. 

Koka: Statuti thotë se në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Sot kanë marrë pjesë 257 sipas deklaratave të kryetarit të Komisionit, zotit Gjana. Me 2/3 e votimit sot duhet të merrnin jo më pak se 305 anëtarë pjesë, që vendimi i Këshillit Kombëtar të quhej i vlefshëm. Vendimi i pretenduar i marrë sot është ilegjitim sepse nuk parashikon kushtin e përcaktuar nga Statuti.

Koka u shpreh se PD do të kalojë në pjesën e referendumit më 18 dhjetor, një tjetër nismë kjo e votuar në Kuvendin e djeshëm, Kombëtar.  (11 dhjetor)

Koka: Referendumi ka të bëjë me legjitimimin e vendimit që ka marrë Kuvendi për shkarkimin e kryetarit të PD-së, Bashës. Zoti Basha është zgjedhur me parimin një anëtarë, një votë dhe me rikthimin e referendumit ditën e djeshme në Statutin e PD-së, pjesë që ishte hequr me ndryshimet e ndërmarra nga Basha, do të ketë një referendum i cili do ratifikojë vendimin e Kuvendit Kombëtar me një anëtar, një votë. Anëtarët e PD-së më 18 dhjetor janë të ftuar për të votuar që të shkarkojnë ose jo kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën.

Nga ky votim, u shpreh Koka, do të jetë vula përfundimtare e shkarkimit të zotit Basha. Në gjykimin e tij, që nga momenti kur Basha mori vendimin për pezullimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar e deri më sot ka ndjekur një linjë provokimi të anëtarësisë.

Koka: Duket sikur zotit Basha po kërkon gjithnjë e më shumë atë që nuk do të vijë, që të ketë një përplasje në PD mes mbështetësve të tij dhe mbështetësve të PD reale. Zoti Basha ka një retorikë provokuese në raport me partinë e tij. PD-ja dhe Basha nuk kanë më lidhje me njëri-tjetrin. Ajo që shoh unë është që zoti Basha është i lidhur fort me karrigen dhe poltronin e tij, por si një politikan që e ka humbur davanë e tij mundohet të krijojë sa më shumë tension që në fund të sigurojë një marrëveshje.

Sipas Kokës, njerëzit të cilët nuk e kanë shprehur ende qasjen e tyre në raport me Bashën, Berishën dhe demokratët gjatë këtyre ditëve do të fillojnë të bëjnë kalimin drejt arsyes. Më tej, ai tha se që nga momenti që nisi "Foltorja" Basha nuk ka bërë asnjë hap reflektimi, por vetëm akte përjashtimi.