Përmbytjet, pezullohet mësimi në disa shkolla të Qarkut Vlorë e Fier

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka njoftuar mbylljen e disa shkollave në disa zona të caktuara në qarkun e Vlorës dhe Fierit si pasojë e përmbytjeve.

Kushi ka kërkuar nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit që të bëjnë kujdes në zonat e prekura nga përmbytjet, ndërkohë që ka deklaruar emrat e shkollave të cilat nesër nuk do të mund të hapin dyert deri në normalizimin e situatës.

"Po ndjekim me kujdes situatën e krijuar në Qarkun e Vlorës dhe atë të Fierit nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve dhe përmbytje në disa zona rreth tyre. Zyrat vendore arsimore parauniversitare në bashkëpunim me shtabet përkatëse të emergjencave civile po ndjekin nga afër situatën e krijuar edhe në shkollat që ndodhen në këto zona."

Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi që mësimi të mos zhvillohet në shkollat e mëposhtme, deri në përmirësimin e situatës:

Gjimnazi "Hajredin Beqari", Selenicë

Shkolla 9-vjeçare "Todi Koceli", Selenicë

Shkolla vartëse e arsimit fillor "Sile Hoxha", Rromës

Shkolla 9-vjeçare "Sabri Pelivani", Karbunarë

Shkolla 9- vjeçare vartëse “Thoma Sema”, fshati Ferras.