Devolli prej 2 ditësh pa energji elektrike, OSHEE: Ka pasur rrëzime shtyllash dhe këputje telash
Qindra familje në Devoll prej 2 ditësh dhe 2 netësh janë pa energji elektrike.
Sipas të dhënave nga OSHEE ka pasur rrëzime shtyllash dhe këputje telash si pasojë e erës së fortë dhe dëborës.
Edhe pse vijon puna në terren për riparimin e pjesëve të dëmtuara ende nuk është arritur rikthimi i energjisë.
Sipas të dhënave në Devoll energji elektrike ka vetëm qyteti, Bilishti pjesa tjetër e njësive është në terr.
Pa energji është edhe bashkia Pustec e fshatrat e saj. Vijon mungesa në disa fshatra të Moglicës e Gorës në Maliq dhe disa fshatra në Velçan e Trebinjë të Pogradecit.
Edhe pse reshjet kanë ndalur vështirësia për ndërhyrje në zonat malore për punëtorët e OSHEE mbetet trashësia e dëborës e cila ngadalëson shumë rilidhjen e shtyllave dhe përcjellësve të dëmtuar.
