Këshilli kombëtar i thirrur nga Basha shkarkon Edi Palokën, e 9 anëtarët e kryesisë. Fletë votimi edhe me shenjen e $ e parrulla
Këshilli Kombëtar i PD-së i thirrur nga Lulzim Basha mbrëmjen e 12 dhjetorit 2021 shkarkoi nga funksionet në kryesinë e PD-së të gjithë ata që morën pjesë në kuvendin kombëtar te PD-se të thirrur një ditë më parë nga Sali Berisha në "Air Albania".
Në votim morën pjesë 257 anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Nga këta 251 votuan pro shkarkimit të Edi Palokës nga posti i kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, 5 anëtarëve të kryesisë - Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi - dhe 4 sekretarëve - Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia.
Votimi ka qenë i fshehtë. 4 vota ishin kundër dhe 2 fletë votimi rezultuan të pavlefshme.
Nga verifikimi i fletëve të votimit komisioni i ngritur për votimin konstatoi një fletë votimi me shenjën e dollarit ($) dhe kjo fletë votimi u quajt e vlefshme. Ndërsa në një tjetër fletë votimi ishin shkruar parrulla.
Basha vs Berisha
E ndërsa në selinë PD vijonte votimi nga anëtarët e këshillit kombëtar, Berisha mbante një videotakim me shqiptarët demokratë të Floridas.
Nga këtu Berisha akuzoi Bashën se po mashtron publikisht dhe se në mbledhjen e Këshillit kombëtar nuk ishin paraqitur as 1/3 e anëtarëve dhe për këtë arsye e kishte mbushur sallën me individë të tjerë
Sali Berisha: E vërteta është se ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha i cili nuk respekton asnjë normë, asnjë ligj, asnjë parim. Përkundrazi i marrë peng ai vepron sipas urdhrave që merr. Mjafton tju them sot, i shkarkuar komplet thërret Këshillin Kombëtar ku nuk paraqiten as 1/3 e anëtarëve dhe mbush sallën me punonjës të godinës individë të tjerë duke mashtruar publikisht.
Punimet e këtij këshilli nisën në oren 15:00 dhe u mbyllën rreth orës 19:20. Numri total i anëtarëve te Këshillit është 479.

