11 dhjetori, Hajdarmataj: Policia të tregohet e paanshme! Të marrë informacion për keqbërësitë që mund të prishin aktivitetin

Ditën e nesërme 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD në stadiumin “Air Albania”. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Gledis Nanon, konfirmoi se policia do të jetë në gatishmëri për nesër.

Në lidhje me këtë Ish-drejtori i Policisë, Arben Hajdarmataj, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh  se policia duhet të jetë korrekte në aspektin e ruajtjes së sigurisë, ndërsa ka shtuar se duhet të marrë informacion për çdo gjë që mund të prish aktivitetin.

Arben Hajdarmataj: Unë mendoj se në aspektin e thënies dhe publikisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka qenë shumë korrekt me interpretimin e tij në raport me detyrat e policisë. Mendoj se do të jetë korrekte në aspektin e ruajtjes, trendit dhe sigurisë. Policia e shtetit duhet patjetër që të jetë prezent me informacion. 

Pra të bëjë ç’është e mundur që të monitorojë për çdo lloj informacioni keqbërës që mund të ndodh për të prishur aktivitetin. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për shkak se situata mes PD është shumë e tensionuar. Ka tendenca të palës që të krijoj situate për ta bërë të pabesueshme këtë aktivitet.

Ndër të tjera ai thekson se policia duhet të bëjë detyrën që i takon dhe të jetë e paanshme politikisht.

Arben Hajdarmataj: Policia duhet të jetë e paanshme dhe e pandikueshme. U kërkoj ish-kolegëve të mi që  mos të hynë te partitë politike por të mbajnë detyrën e tyre.

Përgatiti Anila Kolgjini.