Sekuestrohen 2 tonë medikamente kontrabandë në Durrës me vlerë 1190 mijë euro, arrestohet punonjësja e azilit

Rreth 2 tonë medikamente mjekësore u sekuestruan pasi janë futur në Shqipëri si ndihma humanitare në mungesë të dokumentacionit. Dogana në bashkëpunim me Policinë kanë arrestuar një punonjëse azili në Itali dhe kanë shpallur në kërkim shefin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë. Ilaçet kapnin vlerën e 119 mijë eurove, ndërkohë dëmi i shkaktuar në buxhet është rreth 12 milionë lekë.

Zbulohet një skeme kontrabande në importin e medikamenteve në Portin e Durrësit. Skema u zbulua nga një aksion i doganës dhe policisë që u finalizua me sekuestrimin e një ngarkese me rreth 2 tonë ilaçe.

Sipas njoftimit të Strukturave doganore dhe Policisë së Shtetit, gjatë kontrollit në një automjet rezultoi se krahas mallrave të deklaruara, aty gjendeshin dhe 8793 kuti me medikamente të ndryshme për të cilat mungonte dokumentacioni për importimin e tyre në territorin shqiptar.

Medikamentet, të cilat kapin vlerën e 119 mijë eurove u sekuestruan, ndërkohë është vënë në pranga shtetasja Age Biba, 56 vjeçe, e cila ishte punonjëse sociale në një institucion privat për kujdesin ndaj të moshuarve në Itali.

Pas hetimeve paraprake, është shpallur në kërkim shtetasi Alfred Përleka, 33 vjeç, me detyrë shef i Shërbimeve pranë Njesisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Lezhë.

Sipas Policisë, ilaçet ishin ngarkuar në një depo për grumbullimin e ndihmave humanitare në Itali me qëllim transportimin e tyre drejt Shqipërisë.

Personat e përfshirë në këtë skemë, kishin deklaruar se ilaçet ishin ndihma humanitare për një shoqatë në qytetin e Lezhës.

Si pasojë e këtij veprimi dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit përfshirë dhe penalitetet është rreth 12 milionë lekë.

Më shumë se dy javë më parë, u sekuestruan 356 mijë kilogram mallra, të cilat ishin futur në Shqipëri si ndihma humanitare për tërmetin, por në fakt janë shitur në subjekte tregtare.

Dosja për dy personat e përfshirë në këtë skemë është referuar në Prokurorinë e Durrësit me akuzën ‘Kontrabandë me mallra të licencuara’ dhe ‘Shpërdorim detyre’.