Longo kalon presionin te Tirana: 3 lojtarë të tyre vlejnë sa Kukësi
Sfida Kukësi-Laçi do të mbyllë të enjten javën e 12-të Abissnet Superiore me dy skuadrat që vijnë nga një moment shumë i mirë. Për Mirel Josën do të jetë një ndeshje kundër ish ekipit të tij që nuk arriti të bënte më të mirën vitin e kaluar ndërsa Longo synon të fitojë për të mbajtur ritmin e Tiranës.
Në fakt edhe për rivalitetin me bardheblutë, trajneri i verilindorëve foli duke kaluar presionin tek ata dhe duke përsëritur se Kukësi nuk ishte për titull kur u nis në fillim të sezonit.
“Nuk trembemi nga Laçi, kemi gjetur balancën dhe po punojmë mirë ndërsa në fazën e parë na barazuan nga gabimet tona foshnjarake. Do të jetë një ndeshje tjetër dhe duhet të japim maksimumin duke ditur forcën që ka Laçi dhe të bëjmë më të mirën në këtë takim. Gjendja e ekipit është e mirë, nuk kam vetëm 11 lojtarë, kemi marrë Domin nga të rinjtë por nuk është i vetmi sepse është edhe Sula gjithashtu. Ko tregon se forca jonë është grupi. Javë pas jave po rritemi dhe duhet të përmirësojmë disa gjëra në menaxhimin e ndeshjeve. Kam besim të plotë".
Më pas i pyetur për çështjen e titullit, trajneri Longo sqaroi njëherë e mirë atë që mendon ai për shanset dhe rivalët.
“Presidenti kërkon titullin dhe jam shumë i lumtur sepse është ëndërr dhe tregon ambicie. Por Kukësi nuk është si ekipet e tjera. Titullin mund t’ia kërkoni Partizanit, Tiranës. Tirana ka tre lojtarë që vlejnë sa i gjithë ekipi i Kukësit. Edhe dinamo ishte për titull në fillim dhe ja ku është. Ne do të luftojmë për titull padyshim dhe nëse vjen e mirëpresim por nuk themi që do ta fitojmë. Ne jemi të lumtur që po luftojmë, të presim deri në fund”, deklaroi trajneri i verilindorëve./Ora News/.
