Sula: Kuvendi i 18 dhjetorit legjitim dhe gjithëpërfshirës! Keqardhje për situatën e krijuar

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është shprehur se Kuvendi Kombëtar që do të mbahet më datë 18 është legjitim ndërsa shton se ky Kuvend është gjithëpërfshirës.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Sula është shprehur se të gjithë demokratët në Kuvendin e 18 dhjetorit janë të lirë për të marrë pjesë dhe për të shprehur problematikat që kanë.

Ndër të tjera ai ka shprehur keqardhje për situatën që është krijuar në PD.

Dashnor Sula: Dua të shpreh keqardhjen për ngjarje të cilat ndodhin në shtëpinë e demokratëve. Nuk është normale një situatë e tillë për të gjithë demokratët, sidomos për ata demokratët e thjesht. Është krijuar një kakafoni se kush është i ligjshëm, data 11 apo 18. Do thosha se nëse do të rrimë strikt apo për të përcaktuar që të shpëtojmë PD, apo rruga më e drejtë për të qenë të bashkuar  në PD,d o thosha që data 18 është një datë gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët. Kjo datë në mënyrë legjitime dhe statutore Basha dhe kryesia e PD ka thirrur Kuvendin me datë 18 dhe në këtë Kuvend janë të lirë të gjithë demokratët për të qenë të pranishëm, për të ngritur problematika, për të bërë amendamente, dhe mund të zgjidhej edhe problem për të cilën diskutohet shumë për datën 11. Nëse do të kishte vullnet të pastër të sinqertë nga Berisha dhe nga mbështetësitë e Berishës, data 18 ishte legjitime.

Ai shprehet se pas datës 9 shtator, dita kur Kryedemokrati Basha bëri të ditur vendimin për të përjashtuar ish-Kryeministrin Sali Berisha, ka pasur një situatë të ndezur.

Dashnor Sula: Pas datës 9 shtator  e mbrapa ka pasur një situatë të ndezur, linçuese, për deputetët e PD, për nënkryetarët e PD, për sekretarin përgjithshëm, për kryesinë, për funksionarët e PD. Mua më vjen keq që të thuash për të gjithë kupolën e PD që janë ilegjitime dhe nuk janë në funksionet e tyre të zgjedhur në mënyrë ilegjitime kjo nuk është normale.

Sula kërkon që të ketë një mirëkuptim të uljes së gjakrave.