Vasili: Basha është peng i dosjeve penale të tij! LSI i ka ndërprerë marrëdhëniet me të

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili është shprehur se ish-Kryedemokrati Lulzim Basha është peng i dyfishtë i interesave financiare dhe të interesave që kanë të bëjnë me probleme të dosjeve penale, që sipas Vasilit janë  të pazgjidhura .

Në një intervistë për Ora News, Vasili u shpreh sa janë pikërisht këto interesa që pengojnë atë që të shikojë dhe interesat e shqiptareve.

Petrit Vasili: Nuk e di sa i humbur ka dalë Basha se i ka lënë me vullnetin e tij dhe me dëshirën e tij çdo gjë. Duke lidhur këmbët dhe duart edhe për 25 prillin i cili u konsiderua masakër zgjedhore, por nuk u lëviz as gishti, do të thotë se ka edhe çështjet dhe interesa të tjera të cilat e mbajnë të lidhur pas Edi Ramës, që edhe humbjen ta përjetojë si një gjë normale sepse interesat e tij personale janë shumë të rrezikuara dhe si të tilla çdo betejë kundër Ramës do të rezultonte e dështuar sepse duke mbetur peng i këtyre interesave të dyshimta do të ishte pamundur që të lëvizte gishtin. Është një peng  dyfishtë i interesave financiare dhe të interesave që kanë të bëjnë me probleme dosjesh, probleme penale që janë të pazgjidhura që e bëjnë të pamundur që të shikojë interesat e shqiptare.

Ndër të tjera Vasili është shprehur se LSI ka shkëputur çdo marrëdhënie me Bashë, pasi ky i fundit nuk ka qenë asnjëhherënë sinkron me interesat e opozitës.

Petrit Vasili: Ne kemi një ndarje shumë të qartë dhe të prerë me Bashën, i cili në të gjithë veprimet e tij nuk ka qenë asnjëherë në sinkron në interesat e opozitës.

Në lidhje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit, Vasili tha se kjo e fundit i është bindur qeverisë duke mos marrë asnjë vendim.

Petrit Vasili: Qeveria nuk ka qenë palë por ka qenë një subjekt që është paraqitur në këtë gjykim pasi kërkesën për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese  e ka bërë shoqata e bashkive të Shqipërisë. Në subjektet e interesuara në këtë proces sikurse ka qenë Presidenti i Republikës , Kuvendi, avokati i popullit, ka qenë edhe qeveria shqiptare.  Vendimi që jepet është fjalë për fjalë ajo që ka kërkuar qeveria shqiptare. Cili ka qenë roli i Gjykatës Kushtetuese në njërën anë dhe i qeverisë në anën tjetër. Gjykata Kushtetuese është thirrur dhe ka pasur detyrimin që të japë opinionin e saj, dhe Gjykata Kushtetuese duke iu bindur qeverisë ka mbyllur këtë çështje pa marrë asnjë vendim, pra është shprehur se është jashtë juridiksionit të saj.