Gjurmët që çuan policinë në shtëpinë e barit në Malësinë e Madhe, si u dekonspirua çifti

Një kontroll i ndërmarrë në fshatin Jeran të Malësisë së Madhe për të zbuluar lidhje energjetike të paligjshme ka çuar në gjurmët e banesës së çiftit Vuksanaj.

Çifti kishte përshtatur bodrumin në një shtëpi bari të mirëfilltë. Dera e bodrumit ishte fshehur pas shkallëve. Kur policia ka hequr shkallët lëvizëse ka zbuluar derën që të çonte drejt një ferme kanabisi.

Poshtë policia zbriti me shkallë druri dhe u habitën kur zbuluan thasët e zinj me kanabis gati për tu shitur.

Ndërkohë 63 llamba elektrike shërbenin për të rritur bimët e kanabisit të kultivuara në vazo lulesh. Plot 132 të tilla.  

Policia arrestoi sot pronaren e banesës, Mariana Vuksanaj ndërsa bashkëshorti, Gjovalin Vuksanaj është shpallur në kërkim.

Prej ditësh policia dhe OSHEE ka ndërmarrë një aksion në qarkun e Shkodrës për evidentimin e subjekteve të cilat kryejnë lidhje të paligjshme energjie.

Kjo është gjurma e parë për të zbuluar shtëpitë e barit pasi për të rritur kanabisin në ambiente të brendshme është e nevojshme shumë energji.

"Gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Jeran” janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar cannabis sativa, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet" informoi sot policia e Shkodrës.