Manastirliu takon kreun e OBSH-së, në fokus bashkëpunimi në kushtet e pandemisë Covid-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë  Tedros Adhanom.

Në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi në kushtet e pandemisë.

Gjatë takimit, drejtuesi i OBSH-së dhe ministrja Manastirliu kanë diskutuar për situatën e pandemisë, shqetësimet rreth variantit të ri të Covid-19 dhe rëndësinë e shpejtimit të procesit të vaksinimit, që mbetet kyç në këtë situatë.

Ministrja Manastirliu i prezantoi Tedros përpjekjet e qeverisë shqiptare për përballimin e pandemisë dhe rritjen e mbulesës vaksinale, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të veprimeve ndërmjet vendeve.

“Nisur dhe nga shqetësimi i ngritur për variantin e ri të Covid-19, ne po intensifikojmë përpjekjet për vaksinimin, edhe derë më derë, në çdo komunitet. Besojmë se ka nevojë për një përgjigje të koordinuar në nivel global për pandeminë,” tha Manastirliu.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, siguroi Manastirliun për mbështetjen, duke vlerësuar punën e bërë për kujdesin parësor.

“Jam i lumtur që Shqipëria po bën progres sa i takon forcimit të kujdesit parësor, si një shtyllë shumë e rëndësishme e sistemit shëndetësor. Kujdesi shëndetësor parësor do të jetë në fokus të Samitit të ardhshëm të OBSH-së dhe Shqipëria mund të jetë një shembull pozitiv në këtë drejtim,”tha  Tedros.

Ministrja Manastirliu i ka prezantuar drejtorit të OBSH-së dy iniciativat e Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar për adresimin e problematikave të pandemisë, me fokus shëndetin mendor dhe të rinjtë.

Shqipëria do të jetë pritëse e Forumit Rinor për Shëndetin, në bashkëpunimin me Zyrën Rajonale e OBSH-së për Europën.

Gjithashtu Shqipëria do të organizojë Ministerialin ndër-rajonal të vendeve të Ballkanit Perendimor për promovimin e shëndetit mendor.