Situata nga reshjet, MM: Shkumbini ka dalë nga shtrati, disa hektarë të përmbytura në Elbasan. Shembet ura në Dibër, izolohen 10 familje

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në vendin tonë.

Reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit.

Në qarkun e Tiranës si rezultat  i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës.

Në bashkinë Rrogozhinë, në vendin e quajtur  Ura e Maqedonasit", Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë  Afrim Qëndro dhe situata po mbahet në monitorim.

Qarku Shkodër ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

Në qarkun Durrës si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut.

Në qarkun Dibër në  fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.  

Në qarkun e Elbasanit si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.