Përmbytje në Shqipëri, vërshojnë Shkumbini e Vjosa, ikin dhe dritat
Një stuhi ere e shiu përfshiu mbrëmjen e së hënës pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat malore në veri e verilindje pati reshje dëbore.
Në Tiranë dhe Lezhë, reshjet ishin në formën e breshrit që brenda pak minutash zbardhën rrugët e dy qyteteve.
Furtuna e shoqëruar me vetëtima krijoi probleme në disa zona të rrugës duke krijuar vështirësi në lëvizjen e këmbësoreve dhe mjeteve.
Reshjet e shiut që vijojnë intensive prej fundjavës, kanë shtuar ndjeshëm prurjet e lumenjve.
Më problematike paraqitet situata në jug të vendit.
Lumi Vjosë arriti nivelin 6.4 metra dhe doli nga Shtrati në Mifol, duke përmbytur tregun e gjësë së gjallë në Novoselë.
Ndërkohë lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati duke vërshuar në tokat bujqësore në Tërbuf të Lushnjes.
Për momentin nuk ka rrezik për banesat pranë shtretërve të Lumejve, por orët në vijim do të jenë vendimtare
Disa fshatra janë të izoluar nga rrëshqitjet e gurëve dhe dherave, e shumë zona po vuajnë mungesën e energjisë elektrike.
Vështirësi ka edhe në disa akse nacionale, duke shtuar rrezikun e aksidenteve, ndaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë natës.
Zonat malore në veri e verilindje ndërkohë janë përfshirë prej mëngjesit nga reshje intensive të dëborës.
Rruga e fshatit turistik të Thethit në Shkodër u bllokua sërish, duke izoluar atje pushues të shumtë që e kishin zgjedhur si destinacion për pushimet e festave kombëtare.
Dimri zyrtarisht ka trokitur në njësinë administrative të Kelmendit në zonën e Malësisë së Madhe, ku trashësia e borës ka arritur në 15 cm dhe Dukagjin.
Reshjet e dëborës u rikthyen në zonat malore në Kukës e Dibër, duke dhënë sinjale se dimri do të jetë i ashpër dhe i vështirë .

