Lumi Shkumbin del nga shtrati, Balla paralajmëroi banorët e zonës: Largoni bagëtitë, rrezikohet Çerma

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla ka paralajmëruar banorët e zonës së Divjakës për përmbytje, përpara se Lumi Shkumbin të dalë nga shtrati. 

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Balla u bëri thirrje banorëve që të largojnë bagëtitë apo mjetet bujqësore nga tokat përgjatë lumit nga Çerma e sipërme dhe Çermat e tjera përgjatë Shkumbinit, pasi prurjet janë të larta dhe mund të ketë rrezik.

 “Papër, Elbasan. Këtu është vendi i duhur për të parë nivelin e prurjeve të Shkumbinit, të cilat mund të rrezikojnë ekonomitë bujqësore në Bashkinë e Divjakës. Prurjet janë të larta dhe vijimi i reshjeve në Librazhd mund ta rrisë edhe më tej nivelin e Shkumbinit. Prandaj duhen larguar bagëtitë apo mjetet bujqësore nga tokat përgjatë lumit nga Çerma e sipërme dhe Çermat e tjera përgjatë Shkumbinit”, shkruan Balla.