Ku shkojnë paratë e terminaleve? Paguhen miliona lekë taksa për transportin, mungon shërbimi për pasagjerët
Tarifat që paguhen për terminalet në Tiranë nuk shkojnë për mirëmbajtjen e tyre e shërbime ndaj udhëtareve. Në stacionin e autobusëve ndërqytetas jug-veri, nuk ka asnjë tendë për tu mbrojtur nga shiu.
"Pse i marrin taksat e popullit, ku shkojnë? Është gjynah gjithë këta njerëz të lagen këtu."
Pavarësisht se hidhen miliona lekë taksa për shërbimin e transportit ende në vitin 2021 në terminalin e kryeqytetit nuk ka një tendë për t’u mbrojtur nga shiu apo dielli.
Janë 520 linja të transportit ndërqytetas, nga këto 437 funksionale dhe që kanë një operator për mundësimin e transportit të udhëtarëve drejt qarqeve apo qyteteve të ndryshme ku vetëm në terminalin jug-veri te udhëtarëve paguhen vetëm për një orë parkim 200 lekë.

Nëse keni planifikuar një udhëtim dhe koha është parashikuar të jetë me shi si dita e sotme çadrën duhet ta keni patjetër me vete në kushtet kur në këtë terminal nuk ka një tendë për t’u mbrojtur.
Pasagjerët shprehen se terminali nuk garanton asnjë lloj kushti dhe se në kohë të shoqëruar me reshje shiu, moti e vështirëson qëndrimin dhe pritjen aty.
"Si rregull duhet të ketë, por nuk e bëjnë."
"Masa duhet të ketë, por kush i merr masat?"
"Bashkia, qeveria i ka. Është gjynah që në terminal mos ketë një pjesë të mbuluar."

Terminalet në Shqipëri janë në varësi të bashkive. Përfaqësuesit e transportit kanë deklaruar se janë duke zhvilluar bisedime që financimi i ndërtimit të tyre t'i kaloje drejtorisë së përgjithshme të shërbimeve të transportit rrugor, por deri tani nuk ka asgjë konkrete dhe qytetarët duhet të përballen me këto kushte.



