Unifikimi i abetares, Halilaj: Duhet reformë e thellë në kurrikula, arsimi në Shqipëri dhe Kosovë ka nevojë financim
Në vitin 2022 në Shqipëri dhe në Kosovë do të mësohet me të njëjtin libër të abetares.
Në lidhje me këtë zv. presidenti i sindikatës së pavarur në arsim, Isa Halilaj, në një intervistë për Ora News, është shprehur se me unifikimin e abetares do të shkojmë drejt unifikimit të sistemit arsimor në gjithë hapësirën shqiptare.
Isa Halilaj: Është një lajm i mirë. Unifikimi i abetares është momenti i parë që ne do të shkojmë drejt unifikimit të sistemit arsimor në të gjithë hapësirën shqiptare. Para disa viteve ne nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me sindikatën e arsimtarëve të Kosovës, dhe u paracaktua që mund të merrte pjesë edhe zv.ministrja e arsimit por në momentin e fundit u tërhoq. Ky është një lajm i mirë por ndoshta duhen studiuar edhe më mirë edhe hapat pas abetares.
Halilaj ka shtuar se sistemi i arsimit në Shqipëri edhe në Kosovë ka nevojë për një financim që t’u afrohet standardeve evropiane, ndërsa shton se duhet një reformë e thellë në kurrikula, për t’iu përshtatur tregut të punës.
Isa Halilaj: Sistemi i arsimit si në Shqipëri edhe në Kosovë ka nevojë për një financim që t’u afrohet standardeve evropiane. Ndoshta duhet një reformë e thellë, por ne mendojmë se sistemi arsimor gjendet i pa reformuar, kërkohet një ndërhyrje e fortë, financiare dhe e detajuar si projekt. Ndoshta projekt mbarë kombëtar. Duhet të bazohemi te tradita shqiptare por të fusim edhe frymën evropiane. Arsimi në Shqipëri kërkon një reformë të thellë në kurrikula duke iu përshtatur edhe tregut të punës.
Teksa ka folur për reformimin e thellë në arsim, ai shton se arsimi profesional në vendin tonë nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Isa Halilaj: Arsimi profesional sot është jashtë loje fare. Arsimi profesional akoma nuk e ka marrë vëmendjen e nevojshme.
Halilaj shprehet se gjuha standarde duhet të jetë unifikuar në të gjithë sistemin arsimor, ndërsa shton se edhe dialektizmat e gjuhës janë pasuri që nuk duhet të humbasin.
Isa Halilaj: Gjuha standarte duhet të jetë e unifikuar në të gjithë sistemin arsimor, prandaj nëpërmjet lëndëve , letërsisë, edhe dialektizmat janë pasuri që nuk duhet të hhumbasim.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
