Varianti Omicron i koronavirusit mbyll kufijtë, bota drejt dozës të katërt?!
Edhe ky fundvit e gjen botën të gjunjëzuar nga varianti i ri i koronavirusit, shumë shtete kanë vënë kufizime për vendet e Afrikës jugore, edhe pse mjekët e shtetit afrikan thonë se simptomat nuk janë të rënda. Ndërkohë kompanitë BioNTech dhe Moderna kanë nisur të rishikojnë vaksinat e tyre për t’iu përgjigjur variantit Omicron.
Varianti i ri i koronavirusit, Omicron është duke u hapur në shumë vende të botës, ndërsa shumë shtete kanë vendosur masa kufizuese udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut, ku u identifikua fillimisht ky variant.
Varianti Omicron mendohet se është më infektues se variantet e tjera edhe pse ekspertët ende nuk kanë zbuluar nëse ka simptoma më të rënda.
Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron ishte një variant tepër shqetësues.
Ekspertët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90% e rasteve të reja janë me variantin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve
Raste me variantin e ri janë regjistruar edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Bocvanë, Izrael, Australi, Hong Kong e Çeki, Skoci.
Britania e Madhe, Izraeli, Japonia, Australia dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë mbyllur kufijtë me shtete e Afrikës jugore për të frenuar përhapjen e mëtejshme.
Me gjithë studimet që po kryhen nga ekspertët, Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut deklaroi se dy persona që u infektuan me Omicron nuk janë sëmurur rëndë.
Kompania partnere e Pfizerit, BioNTech ka njoftuar se është duke punuar për gjetjen e një formule për të prodhuar vaksina të reja të cilat të jenë rezistente ndaj variantit të ri të të zbuluar në Afrikën e Jugut.
Edhe kompania rivale Moderna ka nisur punën për të modifikuar vaksinën e saj kundër COVID-19 për vaksinat e ardhshme përforcuese.
