Lezhë, kapen me armë dhe sende të vjedhura, prangosen 2 të rinjtë, procedohet një tjetër

Policia e Lezhë ka finalizuar operacioni e koduar “ Vila ”, ku janë sekuestruar armë zjarri automatik,  municion luftarak dhe sende të dyshuara të vjedhura.

Po ashtu janë vënë në pranga 2 shtetas, një tjetër procedohet në gjendje të lirë, të implikuar në veprimtarinë kriminale të vjedhjes dhe të armëmbajtjes pa leje.

“Në kuadër të këtij operacioni, në dalje të qytetit Lezhë, në afërsi të  një vile, shërbimet e Policisë "Shqiponja "kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin J.B. dhe pasagjerë shtetasit L.Xh., e L.Gj., Policia gjeti një armë zjarri automatik, 90 fishekë dhe sende të dyshuara të vjedhura nëpër banesa të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: J.B., 22 vjeç dhe L.Xh.,17 vjeç, banues në Tiranë.” - bën me dije policia.

Gjithashtu, u procedua penalisht për veprën penale "Moskallëzim krimi " shtetasi L.Gj.,16 vjeç, banues në Tiranë.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në banesa në zonën e Lezhës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.