Skandali në Berat, Halilaj: Vetting për mësuesit! Psikologët “spiunët” e drejtuesve, nuk qëndrojnë pranë fëmijëve
Një skandal i vërtetë është evidentuar më 27 nëntor në shkollën "22 Tetori" në Berat, ku 62-vjeçari Ëngjëll Bregu, i cili ishte dënuar më parë për pedofili, u emërua mësues, por pas publikimit në media u shkarkua.
Në lidhje me këtë zv. presidenti i sindikatës së pavarur në arsim, Isa Halilaj, është shprehur se emërimi i mësuesve përmes portalit nuk ka transparencë, ndërsa shton se ata duhet të emërohen në bazë të dokumentacioneve që iu kërkohen.
Isa Halilaj: Sot rekrutimi i mësuesve bëhet përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” pavarësisht se ne kemi qenë kundër këtij portali sepse ne kemi qenë dakord që emërimi i mësuesve të bëhet në bazë të dokumentacioneve që iu kërkohen. Te portali nuk ka transparencë dhe jo të gjithë mësuesit mund të përfshihen. Në rastin Beratit ka pasur një prononcim ministrja e arsimit, por nuk është rasti i parë që ka pasur mësues por edhe drejtues të dënuar.
Ai thotë se duhet të ketë një vetting për mësuesit pasi sipas tij ky i fundit nuk është vetëm një mësimdhënës, por është një misionat që ka në dorë të ardhmen e shoqërisë.
Isa Halilaj: Ne kemi kërkuar që të kemi një vetting për mësuesit, nëse duam që ta shëndoshim sistemin arsimor, duhet të kemi një vetting për mësuesit që plotësojnë kriteret. Mësuesi nuk është vetëm një mësimdhënës, por një misionar, por janë persona që kanë të ardhmen e shoqërisë. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe tek trajtimi i mësuesit. Profesioni i mësuesit nuk është i lakmueshëm sepse rrogat janë të ulëta, mësuesit po punojnë në një presion letrash. Ai merret shumë pak me nxënësin.
Po ashtu ai thotë se edhe psikologu i shkollave duhet të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm tek nxënësit por edhe të mësuesit. Sipas tij psikologu nuk duhet të jetë ‘spiuni’ i drejtuesve.
Isa Halilaj: Psikologu i shkollës nuk ka marrë pozicionin që i takon, ne kemi kërkuar që sistemi psikologjik të mos jetë në varësi të drejtuesve të shkollave por të jetë një piramidë nga një sektor që duhet të jetë diku afër Ministrisë së arsimit. Duhet të paraqesë statistika si për nxënësit edhe për mësuesit. duhet të kemi një sistem psikologjik të centralizuar, jo në varësi të drejtuesve të shkollave. Në shumë raste kemi që psikologët janë thjesht spiunët e drejtorëve të shkollave dhe nuk bëjnë punën që ju takon.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.

