“Më morën 4 burra, dua të shoh për herë të fundit fëmijët”, i riu nga Durrësi ngre alarmin për motrën e zhdukur prej të hënës

Nga dita e hënë, një e re nga Durrësi rezulton e zhdukur, ndërkohë që familjarët japin alarmin se ajo është rrëmbyer.

Kanë qenë familjarët e saj ata që kanë dhënë alarmin në polici disa ditë më parë, ku kanë bërë edhe denoncimin për zhdukjen e saj.

Vëllai i saj Ilirjan Cauli  rrëfen se motra e tij Aureta Cauli ishte nisur për në Pogradec ditën e hënë pasi  ishte në proces divorci.

Ai thotë se që nga e hëna nuk kanë pasur më kontakte me motrën, ndërkohë që ditën e mërkurë, dy ditë më pas ka bërë denoncimin në Stacionin e Policisë Plazh për humbjen e saj.

Por, Ilirjan Cauli  thotë se 1 ditë më pas, të enjten motra i ka dërguar 2 foto në WhatsApp duke marrë serum në spital. Që nga ai moment telefoni i saj u fik.

Vëllai çoi në polici foton që motra i kishte dërguar në mënyrë që të mund të zbulonin se në cilin spital ndodhej. Vëllai i gruas së zhdukur ndër të tjera akuzon policinë për mosveprim në kohë, ndërsa ai ende nuk ka një përgjigje të saktë se ku ndodhet motra e tij.

Sipas tij, në polici i kishin thënë se nuk i duhet fotoja, por do pyesnin spitalet për të mësuar nëse Aureta Cauli është regjistruar.

Ndërkohë ditën e sotme, ai pohon se e motra kishte marrë sot kushërirën në telefon dhe i kishte treguar se 4 burra e kishin rrëmbyer, ndërsa kishte kërkuar që të shihte për herë të fundit fëmijët e saj, pasi nuk ishte mirë. I kontaktuar nga Ora News, vëllai deklaroi se në këto moment ndodhet në komisariat.