Kapet me pistoletë pa lejë Renato Çaushi, i “forti” i Tepelenës u prangos brenda në lokal

Një operacion i mbajtur fshehtas nga policia, ka çuar në pranga një prej emrave të njohur të botës së krimit në zonën e Gjirokastrës dhe Sarandës.

Personazhi që vepron në zonën e Tepelenës, Gjirokastrës, Sarandës e Vlorës, është arrestuar nga agjentët e policisë së Vlorës, teksa lëvizte në qytet me armë pa lejë.

“Ora News” mëson se bëhet fjalë për Renato alias Andrea Çaushin nga Tepelena, i cili ka precedentë të mëparshëm të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndalimi i Çaushit është bërë në ambientet e një lokali në qytetin e Sarandës, ku agjentët e policisë së Vlorës dhe komisariatit të Sarandës, kanë hyrë befasisht, duke bërë ndalimin e Çaushit.

Në momentin e arrestimit, Çaushi, nuk ka bërë asnjë rezistencë, ndërsa ka pretenduar se pistoletën e mbante për vetëmbrojtje dhe jo për ti bërë keq ndonjë personi tjetër.

Kapet me pistoletë pa lejë Renato Çaushi, i “forti”
Elton Çiço

Çaushi, është shoqëruar në ambjentet e komisariatit të Sarandës, ndërsa pak ditë më parë gjykata e këtij qyteti ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve e municioneve”.

I gjithë operacioni është mbajtur larg monitorimit te medias, derisa sa gjykata ka vendosur mbylljen në burg të Renato Çaushit.

Ky nuk është arrestimi i parë që policia i bën Çaushit, pasi ky personazh është arrestuar nga Krimet e Rënda, gjatë operacionit “Viluni”, si organizator i trafikut të drogës në Itali.

Por një muaj më pas Çaushi, u lirua nga gjykata e Apelit, duke çuar dhe në pushimin e plotë të akuzave për “Trafikim të narkotikëve” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”. 

Çaushi njihet si mik i afërt i Elton Çiços, që mbeti i vrarë në 1 Maj në lokal “De Niro” në Tiranë.

Ndërsa emri i tij u përfol edhe në ngjarjen e rëndë të ndodhur në bar “Orange” në Sarandë, ku një grup personazh patën shkëmbim zjarri me armë. 

Në muajin qershor 2021, Renato Çaushi dhe vëllai i tij, Ervis Çaushi, u shpallën në kërkim policor për ngjarjen.

Por pas një muaji kërkimi policor u shua për dy vllezërit Çaushi.

Për këtë ngjarje, në pranga ka përfunduar një tjetër shok i Renato Çaushit, shtetasi Luan Ubzova nga Tepelena me pseudonimin “Ujku”, i cili një ditë pas krimit, kishte tentuar të digjte me benzinë lokalin “Orange” të ndërtuar nga Spiro Iljadhi.