Vrasja në Deçan, Policia e Kosovës nxjerr raportin: U qëllua me kallash, autori akoma në arrati
Policia e Kosovës tashmë ka dalë me një raport për sulmin makabër që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një tjetër.
Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital, ndërsa i dyshuari për rastin gjendet në arrati.
Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash AK-47 disa herë, duke lënë të vdekur në vend shoferin.
“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, - thuhet në raport.
Për krimin makabër që tronditi gjithë vendin është deklaruar për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmetaj. Ai tha se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit.
“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, - tha Mehmeti.
Mehmeti shtoi se janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin.
Po ashtu, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

