Para të pista pas gradaçelave? Veliaj dyfishon lejet e ndërtimeve në Tiranë, debate në Komisionin e Ligjeve

Qeveria shqiptare nuk është aspak e shqetësuar se janë ndërtuar 3.6 milionë metër katror në Tiranë me 140 milionë lekë të vjetra nga 140 kompani. Për opozitën këto janë shifra që tregojnë se sektori i ndërtimit është i përfshirë në pastrimin e parave. Në Tiranë, brenda një viti Bashkia ka dyfishuar në mënyrë të pashpjegueshme dhënien e lejeve të ndërtimit.

Apelet e institucioneve ndërkombëtare për frenim të ndërtimeve dhe rritjen e monitorimit të fenomenit të pastrimit të parave që bëhet përmes këtij sektori, bashkia e Tiranës nuk është shqetësuar aspak.

Madje ajo vetëm që nuk është ndalur, por sipas INSTAT, brenda një viti e ka dyfishuar numrin e lejeve të ndërtimit.

Pikërisht kjo çështje nxiti debate të forta në Komisionin e Ligjeve, ku opozita kërkoi shpjegime nga kreu i Drejtorisë së Pastrimit të Parave në Shqipëri.

Opozita deklaroi se janë ndërtuar 3.6 milionë metër katrorë në Tiranë me 140 milionë lekë të vjetra nga 140 kompani.

Elvis Koçi, edhe pse pranoi se pas ndërtimeve mund të fshihet pastrimi i parave, tha se kjo çështje nuk ka lidhje me projekligjin që po diskutohej në Komision.

Elvis Koçi: Nuk kemi analizuar kompanitë e ndërtimit, kjo i takon atyre që japin lejet e ndërtimit, nuk është pjesë e punës tonë. Në qershor besoj do dalim nga lista gri. Mangësitë kryesore lidhen me hetimin dhe dënimin e veprës penale të pastrimit të parave e cila ka lidhje me punën e prokurorive dhe gjykatave dhe me sekuestrimin dhe konfiskimet ku ne kishim sekuestrime, por pjesa e atyre që përfundonte në konfiskim kishte nevojë për përmirësim.

Deputeti i opozitës, Enkelejd Alibeaj insistoi sërish për të marrë përgjigje në lidhje me shtimin e ndërtimeve shumëkatëshe në Tiranë.

Enkelejd Alibeaj: Bankat nuk japin para për ndërtim thotë Banka Botërore, shqiptarët nuk kanë para në xhepa dhe ikin. Me çfarë parash ndërtohen këto gradaçela?

Elvis Koçi: Nuk mund të komentoj Bankën Botërore. Në këtë Komision kam ardhur për t’ju përgjigjur pyetjeve për projektligjin konkret.

Pavarësisht replikave, Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin që detyron edhe familjarët e politikanëve që të deklarojnë pasuritë dhe e dërgoi për miratim në seancën e 2 dhjetorit.