Specialistët e arsimit: Unifikimi i Abetares i vonuar, duhet të kemi një gjuhë letrare të njëjtë
Teksti i abetares do të jetë i njëjtë në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës. Specialistët e arsimit e cilësojnë pozitive por të vonuar këtë nismë, e cila më së shumti i shërben ruajtjes së gjuhës së pastër shqipe. Presidenti i Sindikatës së Pavaruar të Arsimit, Nevruz Kaptelli, thotë se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me tekstet mësimore të lëndëve të tjera pasi përqendrimi i punës në një botim të vetëm, do të rriste cilësinë duke shmangur edhe gabimet.
Teksti i abetares do të unifikohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që specialistët e cilësojnë këtë nismë si të vonuar.
Presidenti i Sindikatës së Pavaruar të Arsimit, Nevruz Kaptelli, thotë se kjo nismë duhej të ishte ndërmarrë në vitet 1990 me qëllim ruajtjen e gjuhës së pastër shqipe.
"Është pak e vonuar, duhet të ishte hapi i parë në arsim për të vetmen arsye se tani janë të gjitha mundësitë që si të gjithë shqiptarët këtu në Kosovë, edhe trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc, duhet të punojnë me një abetare."
Sipas Kaptellit, unifikimi edhe teksteve të tjera të lëndëve mësimore do të sillte më shumë cilësi në sistemin arsimor.
"Duhet të kemi një gjuhë letrare të njëjtë, normative".
Përqëndrimi i punës në tekste të unifikuara do të rriste edhe cilësinë, duke shmangur gabimet që janë vënë re shpesh në librat që përdoren në shkolla.
"Në dy-tre dekadat e fundit gjuha shqipe ka shumë probleme që vijnë nga mësimdhënia dhe problemet që kanë tekstet."
Edhe prindërit e shohin pozitive këtë iniciativë, e cila besojnë se do të garantojë një arsim më cilësor.
"Nëse ajo na jep rezultate pozitive ne mund të aplikojmë dhe për unifikimin e lëndëve të tjera."
"Duhet të ishte bërë që pas Kongresit të Manastirit."
Ministria e Arsimit ka nisur punën për unifikimin e tekstit të abetares për të gjithë nxënësit që do të nisin klasën e parë në vitin shkollor 2022-2023.
Abetarja do të jetë një dhe e vetme, pa alternativa, një libër i vyer që do të qëndrojë gjatë dhe si kujtim i bukur në bibliotekën e çdo nxënësi në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

