Basha viziton familjen e dëmtuar nga tërmeti/ Kryedemokrati: Kjo plagë nuk është lehtësuar, por është bërë dhe më e rëndë nga braktisja

Në përvjetorin e dytë të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kryetari i PD, Lulzim Basha ishte në Durrës ku vizitoi familjen Kujtim e Nexhmije Shkalla, që jeton ende në banesën e rrënuar.

Teksa ka rikujtuar 51 jetët e humbura Basha u shpreh se  plaga nuk është lehtësuar, por është bërë më e rëndë nga braktisja.

Kreu i demokratëve nënvizoi se duhen vënë para drejtësisë përgjegjësit për jetët e humbura në Thumanë.

Pjesë nga biseda me familjaren:

Lulzim Basha: Si je?

Nexhmije Shkalla: Mirë se na erdhët!

Lulzim Basha: Mirë se të gjej!

Nexhmije Shkalla: Mirë se na erdhe!

Lulzim Basha: Mirë se të gjej!

Nexhmije Shkalla: Ju lumshin këmbët!

Lulzim Basha: Faleminderit! Si ke qenë këto kohë, sa kohë u bë kështu?

Nexhmije Shkalla: Që dy vite .

Lulzim Basha: Ça ndodhi që nuk ju sollën ndihmë?

Nexhmije Shkalla: Nuk e di, unë shkova aplikova atje dhe erdhën, unë s’kam qëlluar në shtëpi fare. Se çfarë kanë shkruajtur ka qenë vetëm ky.

Lulzim Basha: Në shtëpi ka qenë vetëm Kujtimi?

Nexhmije Shkalla: Ky nuk di më thënë as emrin, asnjë gjë.

Lulzim Basha: Tërmeti kishte dëmtuar shtëpinë ndërkohë.

Nexhmije: U dërrmua komplet. Shkova në Fier, ndejta në Fier. Biles i kam bërë vjet, jam futur deri këtu ca riparime. Është e kotë, kur të hy sëmundja të hy.

Lulzim Basha: Po këta as nuk iu pyetën fare?

Nexhmije Shkalla: Absolutisht! Nuk e kuptoj as vet.

Lulzim Basha: Keni bërë ankesa?

Nexhmije Shkalla: Ankesa po, po të përcjellin me një fjalë.

Lulzim Basha: Kujtim më bëhet qejfi që të pash!

Kujtim Shkalla: Rrofsh!

Lulzim Basha: Të jesh i fortë! Kemi ardhur sot tek ju se është një familje simbolike për sa i përket harresës dhe braktisjes 2 vjet pas tragjedisë të 26 nëntorit.

Jemi të vetëdijshëm po kështu që ka kaluar 2 vjet dhe kjo plage nuk është lehtësuar, por është bërë dhe më e rëndë nga braktisja. Një pjesë e madhe prej tyre sot janë akoma në çadra, kanë kaluar dimrin e dytë në çadra, po hyjnë në dimrin e tretë në çadra. Për të kujtuar sesi ndonëse fatkeqësia nuk i ndau njerëzit në të djathtë dhe të majtë, qeveria i ndau njerëzit në të djathtë dhe të majtë. Dhe se si shumë banorë të Durrësit, të Fushë Krujës, të Thumanës, të Kurbinit vazhdojnë dhe sot e kësaj dite të paguajnë indiferencën e qeverisë e cila i ka varfëruar, i ka futur në borxh dhe i ka shkatërruar edhe një jetë që nuk ishte normale dhe para tërmetit.

Një qeveri sadopak e përgjegjshme sot nuk do të mburrej me ndihmën bujare të donatorëve, të cilëve duhet tu shpreh mirënjohjen në këtë 2 vjetor të 26 nëntorit, por do të kishte anuluar çdo shpenzim tjetër në veçanti shpenzimet e luksit dhe shpenzimet e koncesioneve të panumërta e të PPP-ve për tu ardhur në ndihmë atyre që janë më shumë në nevojë.

Është papërgjegjshmëria politike. Është papërgjegjshmëria e keqqeverisjes që kemi mbi kokë.