Bashkim kombëtar apo Open Ballkan? Rama bën fallxhorin: Bashkimi kombëtar do të bëhet, por nuk e di kur
Shqipëria dhe Kosova janë të dyzuar ndërmjet bashkimit kombëtar dhe Open Ballkan. Edi Rama për t’ju bërë qejfin kritikëve të tij, hamendësoi së Shqipëria e Madhe do të bëhet, por pa treguar se si apo kur, ndërsa Albin Kurti e konsideroi Ballkanin e Hapur si një çështje të dorës së dytë.
Kronikë e përgatitur nga RTV Ora
Edi Rama dhe Albin Kurti, dy kryeministrat që kërkojnë të faktorizojnë lidershipin e tyre në rajon, në jo pak raste kanë rënë ndesh ndaj njëri-tjetrin, ku si "mollë sherri" ka qënë Serbia.
Nga njëra anë e kufirit vëllai i vogël që kërkon bashkim kombëtar, ndërsa vëllai i madh nismëtar për një rajon pa kufij.
Kreu i qeverisë shqiptare arriti të flasë për bashkimin e shqiptarëve në dy anët e kufirit vetëm duke i veshur vetes petkun e fallxhorit.
Rama: Kjo është pyetje apo provokacia se nuk e kuptoj. Unë them që kjo do të ndodhë, unë nuk di kur do të ndodhi. Atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin e të bërtasin për Shqipërinë e Madhe them që fallxhoret nuk gjykohen. Fallin e futa në mes për përkthyesin. Në hiptezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të votoja hapur pro.
Pavarësisht insistimit të Ramës që të mos kishte një përgjigje nga Kryeministri kosovar për këtë çështje që shkakton debat në rajon e sidomos në Serbi, Kurti e mori fjalën për ta referuar këtë çështje në diplomaci, por sipas tij, duke punuar si patriot.
Rama: Nuk pyeten dy fallxhorë menjëherë. Nuk kërkohet mendim alternativ për të njëjtin filxhan.
Kurti: Bashkimi i shqiptarëve nuk është diçka që e zgjedhim ose përzgjedhim por është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve.
Të dy liderët kanë rënë dakord që të mos i bëjnë presion njëri-tjetrit për Ballkanin e Hapur.
Rama nuk tërhiqet nga nisma e tij dhe e Vuçic, ndërsa Kurti tashmë edhe me kushtin e SHBA, nuk ka plan për momentin të bashkohet.
Rama: Më lejoni ti referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër por trupi qëndron drejt. Kur të vijë dita të jemi shqiponjë me një kokë rreziku është të kafshojmë veten. Ballkani i Hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit.
Kurti: Kosova dhe Shqipëria po hapen me shpejtësi për njëra-tjetrën dhe gjithçka tjetër është në rastin më të mirë e dorës së dytë.
Historia do të tregojë nëse Tirana dhe Prishtina do të bashkohen në një vizion të vetëm, por deri sa kjo të ndodhë, Serbia do të lobojë fort në Perëndim për penguar çdo nismë që nuk i intereson Beogradit.

