Mbledhja Shqipëri-Kosovë, Zaimi: Dy qeveritë mos ta trajtojnë njëra-tjetrën si subjekte të politikës së jashtme
Ditën e sotme dy qeveritë ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët, ku dhe janë firmosur disa marrëveshje.
Arbër Zaimi nga Vetëvendosje, në një intervistë për Ora News, u shpreh se bashkimi i dy vendeve nuk është çështje mes partive por një çështje që imponohet për shkak të rrethanave kombëtare, aktuale dhe shoqërore. Zaimi u shpreh ndër të tjera se qeveritë duhet ta lehtësojnë dhe të përshpejtojnë këtë proces.
Arbër Zaimi: Është e vërtetë që është mbledhja e 7 mes dy vendeve, është bërë një zakon i mbledhjes herë pas here me të qeverive të Prishtinës dhe Tiranës, natyrisht janë të pashmangshme, janë të domosdoshme por edhe nuk janë zgjedhje e politikanëve pasi bashkimi nuk është çështje partiake por një çështje që na imponohet nga rrethanat tonë kombëtare por edhe aktuale shoqërore.
Bashkimin qeveritë duhet ta lehtësojnë dhe ta shpejtojnë sepse për ta ndalur nuk kanë mundur as ato përpara dhe nuk do të munden as në të ardhmen.
Ai u shpreh se këtë herë të dy qeveritë kishin punuar për marrëveshjet që janë nënshkruar.
Arbër Zaimi: Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë në këto raste janë kujdesur që në marrëveshjet që kanë nënshkruar kësaj radhe të kenë punuar edhe më para. Kanë bërë gati legjislacionin, dokumentacionin por edhe institucionet dhe për të siguruar zbatimshmërinë.
Më tej është shprehur se dy qeveritë nuk duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën si subjekte të politikës së jashtme por sipas tij ata të shprehin hapur kritikat që kanë për mënyrën e drejtimit të njëri-tjetrit.
Arbër Zaimi: Nuk është në dorën e Kryeministrave, nuk është aspak kjo në dëshirën e tyre që të ndalin një proces që do të ndodh medoemos që është procesi i afrimit të Kosovës dhe Shqipërisë, drejt bashkimit. Mendoj se pak rëndësi kanë emrat e përveçëm të Kryeministrave kur vjen puna për pengesën e këtij procesi por kanë shumë rëndësi kur bëhet fjalë për politika që mund të lehtësojnë këtë proces.
Do të doja që në mbledhje të kishte dhe një hapje të ndërsjellë dhe mendoj se të dyja qeveritë mos ta trajtojnë njëra-tjetrën si subjekte të politikës së jashtme, do doja që të ja shprehin hapur kritikat, për hir të qytetarëve dhe procesit.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
