Gjyqi për tenderin e uniformave, pranohet gjykimi i shkurtuar për ish-zyrtarët e Ministrisë
Gjykata e Posaçme ka pranuar t’i gjykojë me procedurë të shkurtuar 9 zyrtarët e akuzuar për abuzime me tenderin e uniformave të policisë. Në seancën e radhës prokurorët do të paraqesin konkluzionet përfundimtare dhe më pas do të jete gjykata ajo do të japë vendimin, ndërkohë që kjo formë e zhvillimit të procesit, u garanton atyre uljen e një të tretës së dënimit.
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për 9 të pandehurit e akuzuar për abuzime në tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme.
Të premten u zhvillua seanca e parë ndaj tyre ku prokurori i çështjes Dritan Prenci ka lexuar kërkesën për gjykimin e të pandehurve, ndërkohë që në seancën e radhës, e cila u la në 3 dhjetor, pritet të paraqiten konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ku do të kërkohen edhe dënimet për ish zyrtarët.
Të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim të detyrës, ndërkohë që pranimi i gjykimit të shkurtuar, u garanton atyre uljen e një të tretës së dënimit në fund të procesit.
Mes të prangosurve është dhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të përqendruara Edlira Naqellari.
Tetë nga të pandehurit janë nën masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa vetëm Anisa Bogdani është hetuar nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ish-zyrtarët akuzohen nga SPAK se kanë abuzuar me tenderin me vlerë 28 milionë Lekë. Gjatë hetimit rezultoi e provuar sipas SPAK se 4 operatorët ekonomikë që u shpallën fitues nuk i plotësonin kriteret për të fituar tenderin.