I merrte para pacientëve, procedohet gjinekologia në spitalin e Beratit

Blutë e Beratit kanë proceduar penalisht mjeken gjinekologe Edlira Shkëmbi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Pas një hetimi 5 mujor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Berat bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të përfitimit në mënyrë të parregullt në disa raste të vlerave monetare nga mjekja  gjinekologe Edlira Shkëmbi pranë Spitalit Rajonal Berat.

Nga hetimit rezultoi se kjo mjeke gjatë kryerjes së vizitave dhe operacioneve të lindjes, merrte vlera monetare nga familjarët e shtetaseve që i nënshtroheshin operacionit për të kryer lindjen.

Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasja M.G,  e cila i ofroi një shumë parash mjekes për të kryer operacionin për kunatën me  qëllim lindjen e fëmijës.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumetimin e plotë ligjor.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme për veprat penale  “Shpërdorimi i detyres”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe  “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.