Konispoli "portë" për klandestinët, emigrantët e trafikantët shmangin Frontex, rrugë e re nga jugu
Gjithmonë e më shumë, kufiri i gjelbër me Greqinë në bashkinë jugore të Konispolit po kthehet në një portë hyrëse për klandestinët që kërkojnë të kalojnë përmes Shqipërisë në rrugën drejt vendeve të bashkimit Europian.
Kjo rrugë e re e emigrantëve nga vendet e lindjes, ashtu si në juglindje, po nxit veprimtarinë e paligjshme të ndihmës së paligjshme të kalimit të kufirit.
Me dy automjete të marra me qira, 4 të rinj nga Tirana u kapën nga Policia në skajin jugor të vendit për bërë para me transportin e klandestinëve.
Në Konispol, në afërsi të kufirit të gjelbër me shtetin grek, ata kishin marrë 6 shtetas sirianë që kishin hyrë në mënyrë të parregullt në vendin tonë.
Kundrejt një pagesë prej 300 eurosh për person, katër të rinjtë u kishin premtuar se do ti transportonin deri në Kryeqytet, nga ku klandestinët do të tentonin të vijonin me tej rrugën drejt vendeve të BE.
Por policia e Sarandës ishte sinjalizuar dhe u zuri pritë taksistëve të klandestinëve, në urën e Kranesë duke bllokuar dy makinat.
Në pranga përfunduan Edmont Doda, Kleo Muça, Edelson Selimaj dhe Klodian Rexha, nga 19 deri në 23 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Që kur Shqipëria u përfshi në të ashtuquajturën rruga ballkanike e emigrantëve, fluksi I klandestinëve në kufijtë me Greqinë mbetet i lartë, duke detyruar vendosjen e forcave të Frontex.
Ata që kapen në kufi, kthehen direkt në Greqi, ndërsa të tjerët paguajnë deri në 1000 euro për person nga juglindja deri në Tiranë.
Për trafikimin e tyre përmes Shqipërisë po përdoren nga makinat e luksit me xhama të zi deri tek kamionët.
