Shpërthen Bici: Personat publikë duhet të kenë vlera, sot promovohet paraja, fama dhe botoksi

Sot flasim shumë për para, famë dhe sukses. Por çfarë është suksesi në vetvete, a lidhet fama me suksesin? A kemi në Shqipëri modele suksesi?

Në një intervistë në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora, sipërmarrësi, Eglent Bici, shprehet i shqetësuar se në vendin tonë nuk ka personazhe me vlera për shoqërinë. Ai pohon se rehatllëku është vrasës i suksesit, duke thënë se fama nuk ka lidhje me suskesin.

Eglent Bici: "Janë shumë të pakët individët që kanë suksese, që kanë arritur një standart që të ndihmojnë dhe tjetër të arrijnë suksesin në Shqipëri. Suksesi është proces i vazhdueshëm, është përjetim. Rehatllëku është vrasës i suksesit. Duhet të kesh eksperienca, sfida që ta arrish atë. Fama nuk është përmbushje. Është pasojë e cila vjen nga një gjë që ti bën. Suksesi është proces i përditshëm, nuk ka lidhje me famën."

Sipas Bicit, në vendin tonë nuk ka modele suksesi me vlera. Ai thotë se paraja dhe fama  promovohen në mënyrë ekstreme në Shqipëri.

Eglent Bici: "Problemi më i madh janë modelet. Modelet që kemi sot promovojnë në mënyrë ekstreme paranë, botokset,shampanjën. Kjo nuk është gjë e keqe, por kur ti bëhesh model, duhet të kesh vlera, ne kemi shumë pak, por mos të thënë aspak personazhe publike që përçojnë vlera."