Vlorë/ Pas aksionit për mbetjet, nis shembja e 40 ndërtimeve pa leje

Fadromat e IKMT zbarkuan në Pyllin e Sodës në Vlorë, pak ditë pasi kryeministri Edi Rama lançoi prej aty aksionin kombëtar të pastrimit.

Këtë të martë aty nisi aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje.

Ndërhyrja e mbështetur nga forcat e policisë nisi nga nga zona e TEC-it, dhe do të vijojë deri në plazhin e vjetër.

Sipas burimeve 40 janë objekte të planifikuara për t’u shembur nga zona ranore deri në brendësi të Pyllit të Sodës.

Kryesisht bëhet fjalë për ndërtime 1 ose 2 katëshe, të ngritura pa leje në zonë që vite më parë konsiderohej Mushkëria e gjelbër e Vlorës, por të kthyer në një vend depozitim ilegal të mbetjeve.

Drejtuesit e IKMT, thonë se qëllimi është lirimi i plotë të gjithë hapësirës së zaptuar publike, ndërsa kërkojnë bashkëpunimin e bashkisë së Vlorës për largimin e inerteve që krijohen.

Operacioni “Bregdeti ynë” nisi në muajin qershor në zonat bregdetare,  ku deri tani janë shembur qindra objekte pa leje ose në shkelje të saj.

Paralelisht, aksioni vijon edhe në zonat e mbrojtura dhe përgjatë rrugëve kombëtare