Video/ Me 30 kallëpe tritoli në makinë dhe celularë për t'u lidhur me mina, arrestohen 2 persona në Lezhë

Ky është momenti kur Forcat Operacionale të Policisë së Lezhës vunë në pranga dy persona që trafikonin lëndë plasëse nga Miloti drejt Shkodrës.

Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç banues në Dibër u kapën në aksin e vjetër Milot-Lezhë teksa po udhëtonin drejt kryeqendrës së veriut me një makinë të mbushur me eksploziv.

Brenda kësaj çante u gjetën  30 kallëpe C4, një eksploziv i fuqishëm dhe 17 kapsolla detonatore.

Ndërsa dy aparate celularë të lidhura me përcjellës elektrik gati për t'u montuar me mina me telekomandë.

Policia thotë se kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e eksplozivit në drejtim të Shkodrës, ndaj i ka mbajtur personat e dyshuar për disa ditë nën vëzhgim.

Mbrëmjen e së martës,  kur Manuka e Losha u nisën për të dërguar porosinë, blutë u bënë pritë pranë fshatit Pllanë dhe i vunë në pranga.

Dyshimet janë se eksplozivi C4, do tu dërgohej grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Shkodrës.

Policia nuk jep shumë detaje për shkak se hetimi vijon për të zbuluar pritësit e porosisë dhe personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në trafikun e lëndëve plasëse.

Video/ Me 30 kallëpe tritoli në makinë dhe celularë

Operacionet e Policisë së Shtetit përgjatë këtij viti kanë treguar lulëzim tregut të zi të armëve dhe municioneve.

Nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 30 mina me telekomandë dhe në pranga kanë përfunduar mbi 15 persona, kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan.

Shpesh herë oficerët e policisë kanë qenë të kamufluar si blerës të tyre çmimi i një bombe me telekomandë shkon deri në 3000 Euro.