Nisin ethet e policëve për testin e drogës: 50 efektivët e parë marrin sot përgjigje
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano para dy ditësh, më 22 nëntor firmosi urdhrin për kryerjen e testit të drogës për të gjithë policët.
Për uniformat blu ky proces ka nisur.
Gazetari Edison Vatnikaj bën me dije se efektivët e parë të cilët i janë nënshtruar testit të drogës, ditën e sotme pritet të marrin përgjigjet.
Ky test droge zhvillohet në një klinikë private pas një marrëveshjeje të firmosur ndërmjet klinikës dhe Policisë së Shtetit.
Të paktën 50 efektivë nga drejtoria vendore e policisë së Shkodrës presin të marrin sot përgjigjet në lidhje me testin e drogës. Në qoftë se efektivët rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike do të përjashtohen nga strukturat policore dhe nuk do të jenë më pjesë e policisë.
Testi i drogës do të vijojë fillimisht me grupet e përzgjedhura, pastaj do të kalojnë në sitë të gjithë efektivët.
Ekspertët janë shprehur se ky test është i domosdoshëm pasi shpesh efektivët janë përfshirë në shpërndarjen apo konsum të lëndëve narkotike. Janë rreth 11 mijë policë në të gjithë Shqipërinë që do t'i nënshtrohen testit të drogës.
