Rama injoron fermerët, Rama: 6 kërkesat e tyre nuk do të adresohen në buxhetin 2022

6 kërkesat e fermerëve nuk do të merren parasysh nga qeveria shqiptare, pasi sipas kreut të ekzekutivit, protesta e tyre është e bazuar në keqinformim. Për më tepër Kryeministri u kërkoi fermerëve që të nisin të fusin në sistemin e sigurimeve produktet, pasi duhet të heqin dorë nga shpresat tek qeveria për dëmshpërblime.

Kjo protestë e fermerëve është cilësuar legjitime nga ana e qeverisë, por asnjë nga kërkesat e tyre nuk do të adresohet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Madje Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e buxhetit për këtë sektor,  mendon se reagimi i tyre ka ardhur për shkak të mungesës së informacionit.

“Protestat janë legjitime nuk diskutohen por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë keqinformuar. Ne kemi të vetmin sektor bujqësor, krahasuar me të gjithë të tjerët ku nuk marrim asnjë taksë.”

Gjendjen e bujqësisë nuk arrijnë ta kuptojnë as fermerët e Myzeqesë dhe as  kritikët e qeverisë në rrjetet sociale. Për të para se si është në të vërtetë situate, Edi Rama ka një dritare digjitale për të gjithë.

“Dhe atyre që nga smartphone, bëjnë komente në “Facebook” që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, ju them që jeni aut. Po vdesin klinikisht nga trutë e kokës, prandaj duhet ta shohin më shumë edhe ‘Facebook’ tim”

Rritja më 10% e TVSH në imputet bujqësore nuk do të hiqet, siç kërkuan fermerët, pasi për ministren Krifca është një çështje e rëndësishme për çmimin në rajon.

“Rritja e TVSH së imputove bujqësore shkon në çmim të përafërt me tregjet e rajonit.”

Sektori i bujqësisë për të mbrojtur produktet e tyre duhet t’i sigurojnë pasi qeveria do të heqë dorë nga dëmshpërblimet për shkak të fatkeqësive natyrore.

“Është e domosdoshme që bujqësia të përfshihet në skemën e sigurimeve dhe jo të gjenden përballë befasive të motit dhe pastaj të dalin në rrugë dhe t’i ktheheni qeverisë së duam lekët.”

Garantimin e cilësisë së produkteve bujqësore, një tjetër kërkesë e fermerëve, do ta bëjnë satelitet.

“Sot bota e kontrollon dhe garanton cilësinë e produktit me satelitë”

Në fund Edi Rama ju premtoi fermerëve se do t’u japë mundësinë atyre për t’u futur në tregun rajonal për produktin e mishit, si rezultat i “Open Ballkan”.

“Me marrëveshjen që do firmosim në fund të vitit në të gjithë hapësirën e Ballkanit do të mund të tregtohen prodhimet blektoriale”.

3.2 miliardë lekë janë akorduar për sektorin e bujqësisë në buxhetin e shtetit.