"E qartë si drita e diellit që mbështeti kreun e Rilindjes", Meta sqaron të vërtetën e tij përballë akuzave të Bashës
Tre javë para mbledhjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë Dermokratike të thirrur nga Sali Berisha, presidenti Ilir Meta përmes një konference të posaçme për mediat akuzoi Lulzim Bashën se me bojkotin e zgjedhjeve të vitit 2019 i ka shërbyer Edi Ramës për të shtrirë pushtetin e tij në të gjitha bashkitë.
Madje ai theksoi se kreu demokrat refuzoi të merrte pjesë edhe në zgjedhjet e 13 tetorit.
Meta: Lulzim Basha dhe PD nuk kanë denjuar të bëjnë asnjë kërkesë zyrtare pranë KQZ për tu regjistruar si subjekt konkurues në zgjedhjet që presidenti kishte dekretuar për tu zhvilluar në 13 tetor 2019 dhe për të cilat ishte konsultuar në mënyrë të veçantë me Lulzim Bashën. Është e qartë si drita e diellit që Lulzim Basha mbështeti vetëm kreun e Rilindjes.
Presidenti shpjegoi se u detyrua të shfuqizonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit pas lutjeve dhe përgjërimeve të Bashës.
Sipas tij, ai i frikësohej protestës së 8 qershorit që mund të prodhonte dhunë.
Meta: Do bëhej hataja. Duke u përgjeruar me lot në sy që Presidenti të anulonte protestën e opoziës në 8 qershor dhe po kështu të shtynte edhe zgjedhjet. Kjo sepse, sipas Lulzim Bashës, protesta që vetë kishte organizuar për në 8 qershor 2019 do të degradonte në dhunë.
Këto deklarata Partia Demokratike në një reagim të menjëhershëm pas konferencës së Kreut të Shtetit i sheh si tentativë për përçarjen e kësaj force politike.


