Deklaratat e Bashës, Presidenca: Hipokriti ju lut në gjunjë e me lot në sy Presidentit...Kontribuuesi kryesor i Rilindjes

Përplasja mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha është tashmë zyrtare. Zëdhënësi i kreut të shtetit përmes një mesazhi në rrjetet sociale e ka cilësuar Lulzim Bashën si kryetar kukull. Në mesazhin e tij, Tedi Blushi e bën fajtor kreun e PD për lejimin e kapjes së shtetit përmes djegies së mandateve, mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale dhe qëndrimin bojkotues ndaj reformës zgjedhore.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka artikuluar përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi mesazhe të forta kritike ndaj kryetarit të PD Lulzim Basha, të cilin e quan kryetar kukull.

"Përsëri Kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte Presidentin e Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021."

Në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, zëdhënësi i Metës e cilëson Bashën si kontribuuesin kryesor të Rilindjes, me KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të Tij madhore ku rendit:

1. Bojkotin e reformës administrative-territoriale;

2. Bojkotin e reformës në drejtësi;

3. Djegien e mandateve të deputetëve;

4. Zerimin e opozitës në pushtetin vendor;

Sipas Blushit, këto katër pika sollën kapjen totale të shtetit.

"Tashmë i vendosur të bojkotojë edhe Kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta, kërkon shpëtim duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën."

Zëdhënësi i Metës, e quan Bashën hipokrit që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, dhe vë në dukje se kreu i PD, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t'i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje.

"Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t'i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër.  Por Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t'i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje."

Zëdhënësi i Metës, shkruan më tej se Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ja ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë.

Reagimet e presidencës vijnë pas deklaratave të Lulzim Bashës i cili në një intervistë për Ora News e cilësoi Metën, Berishën dhe Ramën, si karruseli që nuk do ndryshimin.