“Trekëndëshi i Bermudës” Basha: Nuk e kisha për presidentin, por për Ilir Metën si person, shkatërroi fushatën
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës“ kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se deklaratat lidhur me “Trekëndëshin e Bermudës” nuk përfshinin presidentin si institucion, por personin Ilir Meta.
Ai bëri me dije se Meta dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale.
Basha shtoi se për sa i përket pjesës tjetër mund të flasë gjatë dhe se është i sigurt se do të ketë akuza dhe sulme të shumta.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha edhe një pyetje të fundit. Pak kohë më parë ju në parlament folët për atë që e quajtët Trekëndëshi i Bermudës, Trekëndëshi i të keqes, ku përfshitë Zotin Rama, zotin Berisha por edhe presidentin Meta. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe presidentit Meta sepse deri tani nuk ju kishim dëgjuar të shprehnit kundërshti për veprimet e tij, madje ju e keni mbështetur edhe ne veprimet që ai ka ndërmarrë.
Lulzim Basha: Jo, nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës.
Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës. Por, përsa i përket pjesës tjetër mund të flasim gjatë. Jam i sigurt që do ketë akuza e sulme të shumta. Kalërimi i kulturës së linçimit, gënjeshtrave, spekulimeve të ndodhura këto dy muaj është gjëja më e thjeshtë, por edhe unë jam i qartë, i vendosur dhe më i fortë se kurrë nga forca e demokratëve për të qëndruar përballë çdo trekëndëshi dhe çdo kombinimi interesash personale të një grushti sado të fuqishëm por të vogël njerëzish që sot qëndrojnë përballë shumicës së shqiptarëve.

