Verifikim transfertave të Taçit, SPAK u kërkon bankave të dhëna mbi lëvizjet e parave në vite
Pak ditë pas shpalljes në kërkim të biznesmenit Rezart Taçi, SPAK ka zgjeruar hetimet duke i kërkuar bankave të nivelit të dytë historikun në vite të tranfertave financiare të biznesmenit. Dyshimet janë se Taçi mund të ketë kryer edhe më parë këtë veprimtari të paligjshme, ndërsa të faktuar prokuroria ka vetëm rastin e fundit të 18 milion eurove, të cilat u transferuan në Shqipëri për tu pastruar përmes kompanive të biznesmenit.
Prokuroria ka zgjeruar hetimet në lidhje me aktivitetin e biznesmenit, Rezart Taçi, pas dyshimeve se ai mund të ketë kryer edhe më parë transferta të dyshimta brenda dhe jashtë vendit me qëllim pastrimin e parave.
SPAK ka vendosur ti kërkojë bankave të nivelit të dytë ti vënë në dispozicion të gjitha transfertat e bëra në emër të Rezart Taçit, tashmë i shpallur në kërkim, dhe dy të pandehurve të arrestuar Bledar Lilo dhe Artur Balla.
Deri tani mësohet se prokuroria ka të faktuar vetëm transfertën e fundit të 18 milion eurove, për të cilën biznesmeni do të përfitonte 4 milion euro.
Por ndërkohe po shihen edhe të tjera transferta të bëra nder vite nga Rezart Taçi, duke përdorur si mburojë bizneset e tij.
Nga ana tjetër biznesmeni ndonëse deklaroi në media se do të vetëdorëzohej për tu përballur me drejtësinë, një veprim të tillë nuk e ka bërë as në Shqipëri dhe as në ndonjë shtet tjetër ku dyshohet se fshihet.
Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar në Shqipëri në dhe në Itali vend ku kanë nisur edhe verifikimet e para.
Dy prokuroritë kanë në duar përgjime të shumta të bisedave që Rezart Taçi ka bërë me shtetasit italian, të cilëve u ka marrë përsipër të kryente trasfertën e shumës prej 18 milionë euro që u sekuestrua para se të finalizohej pastrimi i saj përmes kanaleve bankare.

